Mblesëria ?
Duket si dukuri e anatemuar dhe krejt primitive, por shihet si shpëtimtare nga shumë vajza të fshatrave, sidomos zonave të thella të izoluara që më së shumti, banohen nga të moshuar. Kur flitet për këtë dukuri, kemi parasysh shkesinë (mblesërinë) në dy anët e saj, shkesinë zakonore dhe atë moderne. Shkesia zakonore përgjithësisht mund të haset fare rrallë, ndërsa ajo e kohës, po bëhet gjithnjë e më e kërkuar.
Shkesia zakonore
Shkesia ka qenë e vetmja mënyrë lidhjesh martesore prej shekujsh në zonat veriore të vendit. P.sh., në Mirditë bëhej që në djep. Djali dhe vajza nuk kishin rast të njiheshin vetëm kur të bashkoheshin në martesë. Përgjithësisht, në martesa, merreshin parasysh disa karakteristike: a është shtëpi e ndershme dhe e fortë dhe me emër, si i kishte prindërit dhe si është daja i vajzës. Kjo lidhej me faktin që shtëpia të forcohej në pozitën e saj, tamam siç ngjiste me familjet mbretërore.
Z|akonisht, mosha e burrit, gjithnjë ishte më e madhe se ajo e gruas. Ndërkaq, një grua e mbetur e ve, mund të merrte dhe një djalë më të ri se veten. Kjo ndodhte kur familja e djalit mund të mos kishte gra dhe i duhej një femër me eksperiencë. Gratë e veja çmoheshin më tepër ndaj dhe pagesa e tyre ishte më e lartë. P.sh., për një grua të ve mund të jepeshin deri 30 qese (50 napolona), kurse vajzat e kishin 10 -15 qese (20-30 napolona).
Për të mbyllur kontratën e martesës, i zoti i shtëpisë së dhëndrrit, i jep të zotit të shtëpisë së nuses një shami, treqind grosh, dhe një “myhyr”. Këto quheshin “sheja” dhe të pranuarit e tyre ka një vlerë të madhe. Të kthyerit e tyre, ose moszbatimi i marrëveshjes, është një fyerje e madhe dhe shumë herë rezultonte me vrasje..
Nëse vajza nuk do të martohej me këtë burrë, babai ia kthen “shejën” dhëndrrit, mirëpo vajza, gjersa ky të jetë gjallë, nuk duhet të martohet me njeri tjetër. Kundërvajtja konsiderohej si çnderim dhe ana e djalit mund ta lajë këtë çnderim duke vrarë një nga familje e nuses.
Pagesa e qeseve bëhej me këste dhe kusuri jepej në kohën e dasmës. Mundej që babai i nuses t’i kërkonte krushkut të parë 100 grosh dhe nëse nuk ia shpinte atë ditë të caktuar, mundet që ta gjobiste, duke i kërkuar shtojcë dënimi.
Mblesëritë moderne
Ditët e fundit të mblesërisë zakonore u përjetuan pas vitit 1967. Ka ndodhur në një fshat të Lezhës, kur një vajzë e ndërmjetësuar me shkesi me një familje nga një rajon tjetër, vendos t’i japë fund asaj, duke e shpallur publikisht prishjen e lidhjes me shkesi. Ishte thuajse e njëjta skemë që ishte përdorur me nismën e nxënësëve të një gjimnazi të Durrësit për atë që në atë kohë u quajt “zhdukje e zakoneve prapanike dhe fshirje nga faqja e dheut e kishave, xhamive dhe objekteve të tjera të kultit”.
Prishja e fejesës me shkesi e vajzës nga Lezha, bëri që, Enver Hoxha, të mbante një fjalim të zjarrtë, duke nxitur dhe prishjen e fejesave të tilla me shkesi si zakone prapanike. Më pas kjo vazhdoj në plotraste të tjera, madje me disa raste kur ndërhynin direkt organizatat e masave, kryesisht ajo e rinisë.
Më pas fillon një epokë tjetër për lidhjet martesore, dhe ato kryesisht bëheshin me njohje në mes të rinjve, që realizoheshin me takime në brigada, aksione.
Kemi atë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë, fejesa edhe brenda fshatrave, kur ato ishin tabu. Madje në Mirditën e hershme të vetqeverisjes përmes bajrakëve, nuk jepej e merrej. Kjo ngjiste me ato që quheshin “bajrakë vëllazën”, siç ishin bajraku i Oroshit dhe Spaçit.
Ka një rrëfim që vjen në formën e legjendës që lidhet dhe me Lisat monumentalë të Marpepajve në Orosh të Mirditës. Në një kuvend ku ishin mbledh krerët e Spacit dhe të Oroshit për të vendosur që të kryheshin lidhje edhe në mes këtyre bajrakëve, kalon me një barrë dru në shpinë Mara e Pepajve, e cila në ecje e sipër u thotë: a u lodhët vëllazën?! Që nga ai moment, burrat e kuvendit e vendosën, nuk do të kishte martesa në mes këtyre bajraqeve, rit që u shua me kalimin e viteve.
Martesa brenda fshatrave, edhe në kohën e regjimit komunist, nuk para kishte, por pas vitit 1967, kemi lidhje edhe në mes djemve dhe vajzave nga veriu, jugu apo pjesë të tjera të vendit.
Pas viteve ‘90
Pas viteve ’90, kemi një përzierje lidhjesh, kur harta e tyre zgjerohet dhe më tej, në fillim djemtë, por më pas dhe vajzat, preferojnë të martohen dhe me të huaj. Madje vajza që i kishin kaluar vitet, dhe si të thuash quheshin “të mbetura në derë”, gjejnë rast për t’u martuar jashtë vendit, kryesisht në Maqedoni, Kosovë, por dhe në Greqi e Itali dhe më pak në vendet e tjera perëndimore. Lidhjet, sidomos të disa vajzave për shkak të kalimit të viteve, mbajnë në vetvete vuajtje dhe sakrificë nga seksi femër.Njëra prej tyre, pohon se u martova, pasi nuk mund t’i rrija më familjes në derë, dhe kur shkova nbë Maqedoni, burri që mora kishte gruan tjetër tek shtëpia, dhe ajo jeton si grua e dytë e tij, thjesht duke bërë punët e shtëpisë dhe shuarjen e epsheve të burrit në darkë.
Plot vajza të tjera, martohen me të moshuar, vetëm të mos kenë shtetësinë shqiptare. Për të realizuar këtë njihen dhe disa “shkese” femra interesante. Njëra prej tyre ka krijuar lidhje të tëra në Itali për femra nga një qytet i vogël i Veriut që njiheshin për vitet e shumta që kishin mbi shpinë të pamartuara.
Vajza të pamartuara? Janë të shumta në këto zona. Sidomos në fshatra, njihen me qindra. Për mungesë kontakti e fati, dhe për faktin tjetër që fshatrat janë braktisur, kryesisht nga djemtë, qindra vajza kanë mbetur nëpër shtëpi, duke u kthyer në shërbyes të prindërve të moshuar, thuajse në virgjëresha.
“Kam dëshirë të martohem, dhe të kem familjen time, pasi vitet po më ikin, thotë një vajzë 35-vjeçare, por askush nuk më ka kërkuar, dhe duket se do të plakem pa e shijuar martesën dhe familjen”. Ajo shpjegon më tej, se do t’i dukej e ëmbël çdo lloj shkesie, edhe ajo zakonore, mjafton të martohej me dikë. Por problemet po agravohen dhe nëpër qytete, duke u shndërruar në një fenomen social mjaft të koklavitur.
BISEDË ME NJË SHKES
Në ditët e sotme, nga sondazhet e bëra, askund nuk gjen mblesëri zakonore, deri dhe në fshatin më të thellë të Mirditës. Por funksionon mblesëria e re, ose ndryshe e quajtur si mblesëria moderne. Ka nga ata lloj shkesish, që janë profesionistë të vërtetë. Njëri prej tyre, ka realizuar 15 lidhje mes vajzave dhe djemve, dhe është tejet i kënaqur që të tërë i kanë ecur mbarë dhe tërë të martuarit gëzojnë familje të shëndetshme.
P.K, në rrëfimin e tij si “shkes i regjur” i kohëve të sotme, rrëfen:
Njiheni si shkes i suksesshëm, sa mund të keni realizuar deri më tash?
Për 5 vite kam realizuar mbi 15 shkesi në mes djemsh e vajzash.
Në cilat rajone?
Në zonat përreth, në Lezhë, Kosovë, a gjetkë.
Pse në Kosovë, si e realizonit?
P.sh., kam lidhur një vajzë 42-vjeçare nga një fshat i këtushëm për në Kosovë. Atij i kishte vdekur gruaja, ndaj e lidha, ai kishte 3 vajza e 2 djem jashtë shtetit dhe kishte mbetur vetëm. Ishte burrë i mirë, me gjendje të mirë ekonomike, ndonëse në moshë 59-vjeçare. Sot janë shumë të kënaqur.
Përse e bëni këtë?
Nuk e di, më jepet, më duket si dhunti, më vijnë natyrshëm raste të shumta që i dëgjoj si hall në mes familjarësh. Më duket sikur jap një ndihmë në zbutjen e këtij problemi kaq të madh social, sidomos nëpër fshatra. Në kohën e sotme vajzat janë tërësisht të izoluara dhe pothuajse vuajnë nga trauma të forta. Kanë ndodhur jo pak raste që vajza të ndryshme dhe janë vetvrarë për shkak të mungesës së fatit.
Kur martohen, ndryshojnë?
Plotësisht, madje u ndryshon për mirë dhe çehrja, pamja e tyre. Ato janë shumë të rregullta në familje, krijojnë familje të qëndrueshme.
Si e bën lidhjen?
Fillimisht, u them prindërve, se u paraqitet një rast për fëmijën e tyre, ndaj më së pari u kërkoj që të shihen e bisedojnë vajza me djalin. Ua caktoj dhe vendin se ku, dhe pasi i lëmë të bisedojnë dhe të njihen sadopak, merret pëlqimi e tyre, nëse e vendosin njohjen më tej, e vazhdojnë deri sa realizohet lidhja.
Paguhesh për këtë?
Ngjet që më paguajnë, por nuk e bëj për këtë, u lind vetë në shpirt.
Sa të paguajnë?
Deri dyqind a treqind mijë lekë të vjetra
Të çfarë moshe janë lidhjet?
Janë që nga ato të rejat fare, që sapo mbarojnë gjimnazet, e deri mbi 40 vjeç.
A ka patur ndarje në mes këtyre lidhjeve?
Absolutisht asnjë, dhe kalojnë shumë mirë. Madje po ndahen më shumë ato që njihen vetë.
SHKODRA
Anila Dushi
Lidhur me martesat me shkesi, në Shkodër, përgjithësisht, ekziston mendimi se u ka ikur koha, dhe kjo, më së shumti në qytet, ndërsa në fshat mblesëria vazhdon të jetë e pranishme në martesat e të rinjve. Pyetjes: Do të martoheshit me mblesëri, në qoftë se nuk do të kishit mundësi tjetër, 10 të rinj shkodranë i janë përgjigjur: 8 thonë se duan të martohen me dashuri dhe 2 pranojnë të martohen me shkesi.
Në 8 rastet kur shprehen se duan të martohen me dashuri, 4 prej tyre shprehen se do të pranonin mblesërinë, në rast se ato nuk arrijnë të gjejnë vetë njeriun e zemrës, por me kusht që më parë të ulen e të bisedojnë disa herë me partnerin e ardhshëm dhe në rast se binden se përputhen në mendime, të fejohen .
Po kësaj pyetjeje, 6 të rinj që jetojnë në fshat dhe janë nxënës në shkollën të mesme, shprehen se dëshirojnë të martohen me dashuri, por në rast se këtë nuk e gjejnë, pranojnë dhe shkesinë, por duke e njohur më parë partnerin .
Pyetjes së prindërve: Do t’i martonit fëmijët me mbelsëri në rast se ato (fëmijët) do të ishin dakord, 10 prindër nga Shkodra, (6 jetojnë në qytet dhe 4 në fshat) përgjigjen :
4 nga prindërit qytetarë shprehen se do donin që fëmijët e tyre ta zgjidhnin vetë shokun apo shoqen e jetës, por në rast se ato pranojnë të martohen me mblesëri, patjetër që duhet të njihen më parë. Ndërsa, në dy raste, prindërit shprehen se nuk do të donin që fëmijët e tyre të martoheshin me dashuri, por me mblesëri, por gjithmonë duke u takuar më parë me partnerin që u afrohet. Ndërsa, nga 4 prindërit që jetojnë në fshat, pohohet se do të donin t’i martonin fëmijët me mblesëri .
Më së shumti, mes të rinjve shkodranë, ekziston mendimi se, martesa me dashuri, është më e mira, por dhe në rastet e mblesërive, ato kërkojnë ta njohin më parë partnerin dhe të takohen disa herë me të përpara, dhe pse pohohet se në fshat, kjo nuk është dhe aq e pranueshme, pasi familjet e vajzave, dhe pse në dijeni të kërkesës për fejesë, mendojnë se vajzës u përhapen fjalë në rast se shihet duke pirë kafe me djalin e propozuar. Në mjaft prej këtyre rasteve propozohet që me dy të rinjtë që takohen të jetë dhe shkesi ose ndonjë person i afërm i vajzës apo dhe djalit .
Prej rreth 5 vitesh, në qytetin e Shkodrës janë të përhapur martesat me mblesëri mes vajzave shkodrane, kryesisht të vendosura në qytet pas viteve ‘90 , me meshkuj jashtë vendit, nga trevat shqiptare në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni.
Bëhet fjalë për vajza që janë mes banorëve të rinj të qytetit, të ardhur nga zonat malore dhe që akoma nuk janë të martuara. Sipas banorëve të këtyre zonave, kur vajza i kalon 25 vitet, ajo mund të kondiserohet si e “mbetur brenda”, që nënkupton se, nuk ka mundësi martese, ose ato janë shumë të vogla.
Ardhja në qytet dhe vështirësitë, me të cilat këta banorë ndeshen, ka bërë që numri i vajzave nga ky komunitet që kalojnë moshën 25 vjet, të rritet. Në këto kushte, në skenë kanë dalë mblesët, që realizojnë martesat jashtë kufijve.
Gjon DedëGjeka, banor në lagjen “Mark Lula”, në qytetin e Shkodrës, një lagje kjo e krijuar me të ardhur nga zonat malore pas 1990-ës, rrëfen për “Shekulli”-n se janë së paku 7 raste në këtë lagje, që ai i njeh dhe i përmend me emra, të cilët janë martuar me mblesëri në Maqedoni, në dy vitet e fundit. Madje, dhe të afërm të tij, janë martuar me këtë mënyrë.
Gjeka rrëfen se gjithçka ka nisur nga domosdoshmëria për të martuar vajzat dhe mblesët janë shqiptarë të Maqedonisë që kanë njohje me persona në Shqipëri. Janë këta të fundit që mund të thuhet se kanë ngritur një rrjet të tillë mblesërie në largësi, kur në bashkëpunim me mblesët në Maqedoni realizojnë martesa. Rasti më i fundit, rrëfen Gjeka, është para katër muajve. Një e afërme e tij është martuar në këtë mënyrë në Bitola në Maqedoni. Një prej shkesëve shqiptarë kishte njohje me familjen e saj, me origjinë nga Shllaku. Bisedoi me babanë e vajzës për mundësinë e fejesës së saj në Maqedoni. Vajza, D. L., ishte 27 vjeç dhe e pamartuar. Pas dy javësh erdhi shkesi nga Maqedonia që bashkë me shqiptarin që kishte bërë filimisht bisedën, i treguan fotografinë e djalit që kishin gjetur.
Përveç fotografisë dhe adresës, ato i kanë dhanë dhe të dhëna të tjera. Më pas ato morën dhe një fotografi të vajzës në grup, bashkë me persona të tjerë, për t’ia treguar djalit. Babai i vajzës, me anë të vajzës së një kushëririt të tij të martuar dy vjet më parë në Bitola, u interesua për djalin.
Më pas kërkoi që ai të vinte në Shqipëri. Djali, i cili jetonte në fshat, erdhi bashkë me dy shkesit dhe u pritën në shtëpinë e vajzës. Aty ato panë njëri-tjetrin, biseduan, pasi, dhe djali që ishte 43 vjeç, dinte shqip se u përkiste shqiptarëve të Maqedonisë, por gjithçka në prani të të afërmve të vajzës dhe dy shkesve. Po kështu ndodhi dhe dy herë të tjera kur djali e vajza qëndruan në një dhomë dhe biseduan, por në prani të tjerëve. Pas kësaj u shpall fejesa dhe më pas martesa. Ka raste kur dhëndrri nuk vjen fare, por gjithçka bëhet përmes fotografive dhe garanci janë njohjet e përbashkëta.
Kjo ndodh veçanërisht kur shkes është një e afërme e vajzës që është martuar në atë familje dhe hyn për të bërë shkuesi, një kushërire të saj për kunatin, apo kushëririn e bashkëshortit. Nisur nga besueshmëria e shkesit, çifti njihet vetëm përmes fotove dhe mund të komunikojnë dhe në telefon. Një rast i tillë ishte në dhjetor 2007, kur E. D.,28 vjeçe, u martua me një burrë nga fshatrat e Strugës, dhe kur shkuese ishte vajza e tezes së saj, e martuar tre vjet më parë po në atë familje, e cila e lidhi kushërirën me kunatin e saj, vëllanë e burrit, tregon Gjeka.
Raste të ngjashme ka dhe në martesat me shqiptarë të Malit të Zi, apo dhe në Kosovë, por kryesisht në zonën e Shkodrës, martesat ndodhin në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Në të gjithë këto raste, shkesët paguhen nga të dy palët, pasi kanë dhe shpenzime dhe u duhet të udhëtojnë. Lidhur me pagesën e shkesëve, është vështirë të dihet, pasi nga marrja e parave për një shërbim të tillë, ato ruhen dhe gjithçka bëhet në biseda të ngushta.
Historikisht, mblesi apo shkesi, në bashkimin e dy personave, gjithmonë është “paguar” në një farë mënyre. Ka qenë djali ai që në Shkodër i bënte dhuratë të kushtueshme shkesit (deri para vitit 1990, këpucët kanë qenë dhurata më e përhapur për shkesit), ndërsa vajza i dërgonte peshqesh në fejesë dhe martesë, sipas zakonit, së bashku me dhuratat e të afërmve të dhëndrrit.
Dhe përgjigja ishte: “I have never seen my husband”
Elona Demollari
Mendimi se metropoli shqiptar, Tirana, është i imunizuar nga dukuri si mblesëria, është i nxituar. Edhe në Tiranë, sidomos në familjet e periferive gjen raste me shumicë.
Një mëseuese e një qendër private të gjuhëve të huaja në kryeqytet, ku shkuam këtë javë për sondazhin tonë, na tregon habinë në lidhje me dy vajza, nxënëse të saj.
Vajzat ishin kunata me njëra tjetrën (nuse vëllai) dhe për shkak se burrat e tyre jetonin në Angli u duhej me patjetër të kishin një çertificate mbrojtje gjuhe për të bërë bashkim familjar. Ishin të moshës 23 dhe 24, njëra ishte me origjinë nga veriu dhe tjetra nga një fshat i Tiranës.
Një gjë që mësuesja nuk e harron kurrë është ajo çka ka ndodhur në një orë mësimi. “Më duhet të pyesja rreth një teme që kishim atë ditë në mësim. Kur kam dëgjuar përgjigjen, jam shtangur. Pyetja në librin që përdorim si metodë ishte: “Kur e keni parë për herë të fundit burrin tuaj”? Dhe përgjigja ishte: “I have never seen my husband”. (nuk e kam parë kurrë burrin tim…”).
Prej kësaj përgjigje u hap një bisedë në klasë, dhe vajza 23 vjeçare që kishte shkruar atë përgjigje, u tha bashkë-nxënësve se kishte 7 vjet e fejuar në Angli, por burrin e saj nuk e kishte takuar ende. I vetmi mjet që i bënte të afërt me njëri tjetrin ishte telefoni.
Burrin ia kishte “rregulluar” nusja e vëllait, e cila jetonte në Angli. Vajza pohonte që e donte burrin e saj, kishte rënë në dashuri dhe pse pa e parë asnjëherë, përveç disa fotografive.
Ajo jetonte tek shtëpia e saj, por shpesh shkonte dhe tek vjehrra.
Kunata tjetër, 24 vjeçarja duhet ta konsideronte veten më me fat, ajo kishte 5 vjet e fejuar dhe e kishte takuar 3 herë burrin dhe pse jetonte në Angli dhe ai.
Për t’u kujdesur për të dyja kunatat, ishte djali tjetër i shtëpisë, vëllai i vogël i cili duhet të rrinte në shtëpi për tu kujdesur për të dyja nuset e vëllezërve që ishin në emigrim.
SONDAZHI
49 VAJZA TË PYETURA :
Do të martoheshit me mblesëri në qoftë së nuk do të kishit mundësi tjetër?
39 – Jo
10 – po
4 përgjigje nga vajzat që thanë se do të pranonin:
1. Në fund të fundit si kanë ardhur kohët sot, është e vetmja mënyrë e sigurt që ke për martesën
2. Nëse do të ishte ai që kam ëndërruar gjithnjë, c’të keqe ka të martohem kështu?
3. Edhe prindërit e mi janë martuar në atë mënyre dhe kanë 20 vjet të lumtura martese.
4. Nuk është ndonjë hata e madhe, në fund të fundit, edhe njohjet e tjera nga zeroja fillojnë.
4 përgjigje nga vajzat që thanë se nuk do të pranonin
1. Nuk e mendoj fare të martohem e jo më të martohem në këtë mënyrë
2. Nuk mund ta le veten në dorën e të tjerëve
3. Pse akoma në kohën e qepës jemi ne???
4. Nuk mendoj se mund të martohem me një njeri që nuk e dua
51 PRINDËR TË PYETUR :
Do ti martonit fëmijët me mblesëri nëse ata do të ishin dakord me këtë mënyrë?
40 – Po
11 – Jo
Postime te Ngjashme:
- Martese me dashuri apo mblesëri
- Sekretet që la pas MERLIN MONRO
- Lirita, nuk e pi cigaren para prinderve
- Marianna Gatto: Bjordi ishte fantastik në krevat
- Puthja e Adelajdes me Bjordin
Popularity: 3% [?]
