Home » Shendeti & Dieta

Dija parandalon rrezikun

30 September 2008 271 views 2 Comments Email This Post Email This Post

Pyetja 1

A përbën rrezik për shëndetin e vajzave fillimi i marrëdhënieve seksuale në moshë të vogël? Cila moshë është e përshtatshme për të filluar marrëdhëniet seksuale?

Mosha më e rrezikshme për të filluar marrëdhëniet seksuale është mosha e hershme e pubertetit dhe e adoleshencës (13 - 16 vjeç). Në këtë grupmosha ka mbaruar pjekja biologjike, por jo psiko - emocionale e të resë. Kështu, nga pikëpamja biologjike, e reja është e aftë të bëhet nënë njësoj si një e rritur, por zhvillimi i saj psiko - emocional ende nuk ka arritur pjekurinë e të rriturit. Prandaj, fillimi i marrëdhënieve në këto grupmosha nuk është i këshilluar, pasi lidhet me shtatzëni të padëshiruara.

Nga ana tjetër, studime të ndryshme kanë vërtetuar se fillimi i marrëdhënieve seksuale në këtë grupmoshë është e shoqëruar me shtim të rrezikut për të bërë më vonë kancer të qafës së mitrës. Dihet se fillimi i marrëdhënieve para moshës 16 vjeç dhe kryerja e tyre me më shumë se një partner janë faktorët kryesorë të kancerit të qafës së mitrës, që, së bashku me kancerin e gjirit, janë dy kanceret më të shpeshta tek gratë.

Për të gjitha këto që thamë, këshilloj që periudha më e mirë, për femrën, për të kryer marrëdhëniet seksuale është pasi ajo ta ketë kaluar moshën 16 vjeç.

Pyetja 2

A përbën ardhja e menstruacioneve me më shumë dhembje se herët e tjera një shenjë treguese për infeksionet gjenitale?

Jo, ardhja e menstruacioneve me më shumë dhembje se herët e tjera nuk përbën një shenjë treguese për infeksionet gjenitale. Gjithsesi, duhet thënë se në këto raste, kur kemi ndryshim të intensitetit të dhembjes dhe/ose sasisë së gjakut të menstruacioneve, duhet të konsultoheni me gjinekologen suaj, pasi këto ankesa mund të lidhen me sëmundje të tjera gjinekologjike, që mund të parandalohen ose mund të jenë krejt normale dhe s’kanë nevojë për trajtim.

Pyetja 3

A përbën depilimi në vendet intime një faktor rreziku për fillimin e një infeksioni gjenital?

Duhet thënë se përdorimi i makinave rroje për depilimin e vendeve intime, sidomos kur nuk zbatohen rregullat më minimale të higjienës (një makinë përdoret nga shumë persona), mund të shërbejë si një shkak për fillimin e infeksioneve të lëkurës rreth organit gjenital. Por duhet thënë se kjo gjë nuk shërben kurrë si shkak për fillimin e infeksioneve gjenitale. Prandaj këshillohet që, përpara dhe pas depilimit, të kryhet një dezinfektim i lëkurës me ujë të ngrohtë dhe alkool (solucion pas rroje).

Pyetja 4

A ka efekte negative shpëlarja me ujë tepër të ngrohtë (aq sa ta duron lëkura) në vendet intime?

Duhet thënë se rekomandimi i përgjithshëm është që shpëlarja të bëhet me ujë të zier (ose me kamomil), por të lihet të ftohet në temperaturën e ambientit.

Gjithsesi, për gratë që nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje ose infeksion gjenital, mund të lejohet shpëlarja me ujë në të gjitha temperaturat që lejon lëkura.

Pyetja 5

Mund të na shpjegoni diçka rreth PAP testit? Në cilën moshë duhet filluar depistimi me PAP test?

PAP testi është një metodë që shërben për diagnostikimin dhe depistimin e tumoreve të qafës së mitrës. Kryhet duke marrë nga qafa e mitrës material (me anë të një spatule), i cili më pas shikohet në mikroskop (bëhet citologjia). Në varësi të ekzaminimit mikroskopik, përgjigja e testit mund të jetë normale ose patologjike (qeliza atipike që flasin për një sëmundje malinje). Rëndësia e PAP testit qëndron se, duke u futur në një program depistimi, mund të evidentojë ndryshimet prekanceroze dhe kanceroze në qafën e mitrës në një fazë të hershme, kur është e mundur trajtimi dhe shërimi nga kjo sëmundje fatale.

Pikërisht, për këtë rekomandohet kontroll me anë të PAP testit tek të gjitha gratë mbi 30 -35 vjeç dhe ky ekzaminim të përsëritet të paktën një herë në 5 vjet. Duhet thënë se në shumë vende të zhvilluara kryerja e PAP testit ofrohet nga shteti dhe është e detyrueshme.

Pyetja 6

A është i dëmshëm përdorimi i Aulinës për të qetësuar dhembjet premenstruale?

Aulina, së bashku me aspirinën, voltarenin, postanin etj, bëjnë pjesë në një familje barnash që quhen barnat antiinflamatore jo asteroide. Këto preparate përdoren për lehtësimin e dhembjeve, midis të tjerave edhe ato menstruale.

Duhet thënë se nuk ka ilaçe ideale. Me këtë nënkuptojmë barna pa asnjë efekt anësor ose të dëmshëm. Në efektet e dëmshme të këtyre barnave mund të përmendim: Alergjinë ndaj barit, gastritin dhe ulcerën gastro-duodenale, ngritje të tensionit arterial pas përdorimit të saj etj. (për më tepër jeni të lutur të shikoni fletëpalosjen shoqëruese të ilaçit). Duhet përmendur se një pjesë e këtyre ilaçeve nuk duhet të pihen gjatë dhënies së gjirit (për më tepër konsultohu me mjekun tuaj).

Gjithsesi, nëse asnjë nga këto efekte nuk ju janë shfaqur më parë (p.sh alergjia), ose ju nuk vuani nga ndonjë nga sëmundjet e përmendura më sipër (p.sh tensioni, ulcera), ose nuk jeni duke ushqyer fëmijën tuaj me gji; mund ta përdorni pa asnjë problem këtë familje preparatesh.

N.q.s keni ndonjë nga problemet e përmendura, duhet të mos i përdorni këto preparate dhe në vend të tyre të përdorni paracetamolin.

Xhemile SHEHU - Mjeke gjinekologe pranë Maternitetit të Ri të Tiranës

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (No Ratings Yet)
Loading ... Loading ...

2 Comments »

  • Lola said:

    E nderuara doktoresh desha te te pyes per diqka.. Jam 15 vjeqare dhe menstruacionet eshte hera e 2-t qe po me zgjasin 10-12 dit. Disa me thone qe jane thjesht çrregullime të moshës. Ç’mund te me thuash ne lidhje me kete problem. Mirëpo un dhembje nuk kam fare.

  • xheni said:

    Do doja te me jepnit nje mendim pasi po behet muaji i katert qe nuk me vijne menstruacionet ndihemn shume e keputur ,gjithmone e nervouar kam nje crregullim te oreksit .keto probleme kam pasur edhe nje here me pare pasi bera nje vizit tek gjikenologo me tha se kisha disa ciste por ne madhesi normale .nese ka mundesi me ktheni nje pergjigje .faleminderit!

Leave your response!

Add your comment below, or trackback from your own site. You can also subscribe to these comments via RSS.

Be nice. Keep it clean. Stay on topic. No spam.

You can use these tags:
<a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

This is a Gravatar-enabled weblog. To get your own globally-recognized-avatar, please register at Gravatar.