Biznesi me arome miliardash
Edhe pse përmban vetëm pak mililitra, çmimi është marramendës, sepse brenda tij gjenden 26 mijë petale trëndafili nga Taifi, që kushtojnë 27 mijë euro kilogrami dhe esenca e drurit të rrallë të hud-it. Ky është parfumi i krijuar me porosi dhe ekskluzivisht (15 litra në vit) për sovranin e Arabisë Saudite. Por më i shtrenjti në botë është ai i krijuar nga “Clive Christian” për sulltanin e Burneit dhe manjatin rus, Roman Abramoviç.
“Nr. 1 Artwork Edition” kushton 170 mijë euro për 500 mililitra.
Ai përmban një ndër bimët më të rralla në botë të familjes Zingiberacee dhe lule jasemini. Veç të tjerash, me një pamje që të merr në qafë: tapë floriri, e zbukuruar përreth me gurë diamantesh. Sipas statistikave, edhe atëherë kur kërkesat nuk janë shumë të mëdha, në treg hidhen dy lloj parfumesh në ditë, ose rreth 700 në vit, përfshi këtu parfumet artizanale dhe ato që prodhohen nga shtëpitë më të mëdha të modës. Me pak fjalë, një person në njëzetë, sot do të preferonte të kishte një parfum të tijin, personal dhe të veçantë, njëlloj si një veshje. Për shumë prej specialistëve të nuhatjes, parfumi është si një lloj “pasaporte” që secili prej nesh e përdor për të kompletuar më mirë ndjesitë joshëse, sidomos në marrëdhëniet sociale dhe seksuale. Në këtë valë dëshirash të çmendura, ku çdokush kërkon të ketë “aromën” e tij personale, industria e modës ka menduar që së shpejti të hedhë në treg parfume të reja, ku formula do të përgatitet sipas dëshirës dhe ekskluzivisht për klientët. Kurse çmimet variojnë nga 1500 deri në 5000 euro. Nga ana tjetër, përveç firmave të njohura, në botë ekzistojnë edhe magjistarë aromash, si francezi Bertrand Duchaufour, i cili ka krijuar parfume me porosi për yjet e spektaklit, politikanët dhe bankierët: nga Catherine Deneuve tek Isabelle Adjani, nga François Mitterrand te Karl Lagerfeld, mes të cilëve edhe Alain Delon. Me disa seanca për t‘u përgatitur, njëlloj si një simfoni, parfumi shpreh identitetin e lëkurës sonë. Për katër ditë dhe një çmim të përshtatshëm, Duchaufour mund të krijojë parfumin që dëshiron për një çmim prej disa mijëra eurosh. Po shtëpitë e mëdha kozmetike? Sigurisht që nuk mund të rrinë duarkryq, aq më tepër që biznesi i parfumeve kushton më shumë se 20 miliardë dollarë në vit dhe në veçanti eksporti i bën më të majme bilancet e ndërmarrjeve, jo gjithmonë me fitim në këtë kohë krizash. Për këtë arsye, ndërsa në njërën anë hidhen në treg rreth 700 aroma të reja në ditë, tjetrën rishikohen edhe versionet e reja me klasikët e së kaluarës. Për shembull, “Private Collection”, butiku hipnotizues francez, po mendon të pushtojë botën për Krishtlindje me “Sensuous”, aroma e re, shitjet e së cilës për vitin e parë priten të arrijnë shifrën 100 milionë dollarë. I krijuar nga Aerin Lauder, nipi i të famshmes Estée, nuk mund se si të mos ketë sukses. Por edhe “Poison”, esenca e “Dior”-it me bazë trëndafili, që në 1985-ën vendosi rekordin me një flakon të shitur në çdo 80 sekonda, do të “ndërrojë” fytyrë. “Poison” i dikurshëm është hedhur në treg me emrin “Midnight Poison” dhe me një paketim të ri, shumë herë më të bukur dhe më të kushtueshëm se i pari. Për të mos folur pastaj për “Aqua di Parma”, një aromë elegante për meshkuj, e lindur në 1916-ën, në një laborator të vogël artizanal në Emilia, dhe e riprezantuar me sukses disa kohë ma parë nga sipërmarrësi bolonjez Paolo Borgomanero. Por cilat janë tendencat e parfumeve për periudhën vjeshtë-dimër? Laura Tonatton, italiania më e famshme në botë për krijimin e parfumeve dhe pedagoge kozmetologjie në Universitetin e Harvardit, sapo ka përfunduar me porosi të mbretëreshës Elizabet parfumin me emrin “Formula E”. Ajo thotë: “Pas ekzagjerimeve të dhjetëvjeçarit të fundit, ka një tendencë për rikthimin në aromat e vjetra klasike. Nga historiku ‘Mitsouko‘, i krijuar nga Guerlain në vitin 1919, që shitet ende me të njëjtën formulë, te ‘Sycomore‘ i ‘Chanel‘ e deri tek ‘Eau sauvage Dior‘. Këto janë parfume që të ngjallin nostalgji, që evokojnë historinë tonë dhe provokojnë emocione. Ndër markat e reja preferon ato me qelibar dhe aromë myshku për femra dhe vetiver (bimë tropikale, rrënjët e së cilës kanë një aromë shumë të veçantë) dhe dru sandali për meshkujt, ku përfshihet kërkesa për të qenë gjithmonë e më të rrallë dhe të veçantë”. Njëlloj si ato që përgatiten me trëndafilin e Taif-it, ai francez, me gjethe tërfili, që prej 100 vjetësh përdoret vetëm nga “Chanel”, ose i rralli druri i hud-it, që gjendet në vendet e Lindjes së Mesme me një aromë sensuale. Këta elementë të rrallë dhe shumë të kërkuar e bëjnë konsumatorin, sidomos atë më të pasur, të kërkojnë gjëra të veçanta dhe jo të zakonshme, për të cilat është gati të paguajë me mijëra. “Sot, të gjithë njerëzit përdorin parfume, por të zgjedhësh një aromë sipas dëshirës është njëlloj si të zgjedhësh një veshje të bukur dhe firmato. Një veprim që përputhet me dëshirën për të na dalluar nga masa tjetër e njerëzve. Për këtë arsye, kërkesa për parfume sipas preferencave, është gjithnjë në rritje”, shpjegon më tej Laura. Edhe për Patrick Süskind, autor i romanit më domethënës për këtë argument, “dëshira për të kërkuar parfumin që na pëlqen, për disa njerëz është e pashmangshme. Ajo depërton brenda nesh thellë në shpirt, dhe është e nevojshme njëlloj si ajri që thithim çdo ditë”. “Nuhatja është më e rëndësishme se sa mendojmë. Arrin të shkaktojë emocione, të na bëjë të kthehen në mendje kujtime të largëta, të stimulojë sjellje dhe të përcaktojë sjellje seksuale”. Jo rastësisht, të hedhësh një parfum, është tamam një gjest si ai që kafshët përdorim për të tërhequr partnerët: të shënosh territorin dhe të komunikosh me të tjerët përmes aromës tënde të veçantë. Ndaj është më mirë që, nëpër festa apo raste të veçanta, të kemi të tjera lloje parfumesh”, tregon ai. Sepse, edhe parfumi ka rregullat e tij të vogla. “Në punë, duhet të përdoren vetëm aroma të lehta, për shkak të ambientit dhe njerëzve që të rrethojnë”, thotë Tonatto. Në fund, ajo kujton se për gratë është mirë që aromat e forta të përdoren pas orës shtatë të mbrëmjes, ndërsa për meshkujt asnjëherë”. Gjithmonë nëse, siç thoshte Platoni, nuk vijnë ndonjë erë tjetër.
Joshja, arma më e fortë
Joshja dhe vëmendja për të tërhequr njerëzit që na rrethojnë është ndoshta edhe arsyeja kryesore se përse njerëzit, e sidomos femrat, i përdorin kaq shumë parfumet sot. Që nga Egjipti i lashtë, ku mendohet se lindi parfumi (për të nderuar perënditë) e deri në shekullin XVII-XVIII, kur Parisi u bë kryeqendra e modës në Evropë, industria e zhvillimit të këtij produkti mori një hov të paimagjinueshëm. Aktualisht, Franca është vendi më i njohur në botë ku prodhohen markat më të njohura të parfumeve si “Christian Dior”, “Charles Jourdan”, “Givenchy”, “Chanel”, “Yves St. Laurent” etj., duke e bërë këtë industri një hallkë shumë të rëndësishme në biznesin ndërkombëtar. Por, megjithëse femrat dhe meshkujt e përdorin parfumin në çdo kohë dhe vend e pavend, dermatologët këshillojnë që ato të përdoren sipas stinës dhe lëkurave. Kështu, me dëshirën për diell, det dhe ajër të pastër, lind edhe dëshira për t‘i kushtuar trupit më shumë përkujdesje. Netët e nxehta, trupat e nxirë dhe veshjet ekstravagante të zgjojnë pasionin për ta përkëdhelur trupin me aroma të këndshme dhe joshëse. Por, pavarësisht dëshirave, është e rëndësishme të frenohemi, duke menduar për rrezikun që mund të shkaktojnë, duke e hedhur atë në vendet më pak të përshtatshme. Dihet që vera është edhe stina më delikate për lëkurën, ndaj hedhja e parfumit në këto zona delikate dhe ekspozimi ndaj rrezeve të diellit mund të shkaktojnë reaksione nga më të ndryshmet. Atëherë lind pyetja se ç‘duhet të bëjmë për të pasur një aromë që zgjat për shumë kohë në trup, ku duhet ta vendosim? Është fare e thjeshtë. Mjafton ta hedhim parfumin në zona të tjera për të shmangur që aroma të largohet dhe të bëhet e pandjeshme. Megjithatë, edhe në këtë rast, nuk është kaq e thjeshtë, sepse, pasi kemi zgjedhur vendin, na duhet të zgjedhim edhe parfumin, ku zakonisht preferohen aroma të lehta që parfumojnë lëkurën dhe veshjet të cilat garantojnë një efekt hidratues dhe zbutës. Alkooli që përmbajnë parfumet e bën lëkurën më të ndjeshme ndaj diellit, ndaj, për këtë arsye, është e këshillueshme që të përdorim parfume që nuk përmbajnë alkool. Zakonisht, ata nuk përmbajnë substanca fotosensibilizuese, të cilat, të ekspozuara në dritë të fortë, mund të shkaktojnë acarime dhe djegie, por edhe mund të njollosin lëkurën në vendet ku është hedhur.
Ja se cilat janë vendet më të rëndësishme që këshillojnë mjekët për të vendosur parfumet.
Zakonisht pas dushit, kur lëkura është shpëlarë me ujë të ngrohtë dhe poret janë hapur, është mirë që të hidhet parfum. Një lëkurë në këtë gjendje, garanton një qëndrueshmëri më të lartë të aromës së tij. Dermatologët theksojnë edhe se përdorimi i parfumeve apo produkteve të tjerë aromatikë gjatë ciklit menstrual dhe femrave që vuajnë nga migrena duhet shmangur patjetër, pasi ky çon drejt dhembjeve të forta të kokës. Sipas tyre, nëse hidhet mbi lëkurë, parfumi mund të provokojë disa irritime të lehta. “Kur ndiejmë një parfum, miliona receptorë të qelizave të aparatit të nuhatjes transmetojnë impulset e tyre në tru, i cili i interpreton dhe vendos se cilat aroma na pëlqejnë”, – shpjegojnë dermatologët. “Por hapësira ndërmjet një stimuli të thjeshtë dhe dhembjes është shumë e ngushtë dhe mjafton pak për ta kapërcyer. Kjo ndodh për shembull, kur një aromë është e fortë, ose nëse nuhaten shumë parfume njëri pas tjetrit. Atëherë ndodh të provokohen dhembje koke, deri në të vjella. Në të kundërt, nëse përdoren në sasinë e duhur, disa esenca kanë aftësinë të largojnë migrenën. Ndër këto, livanda, mentja dhe trëndafili”. Si përfundim, mos harroni se, edhe pse parfumi është një element më shumë për të theksuar elegancën, asnjëherë nuk duhet vendosur në faqe, ballë apo mbi veshje, pavarësisht mbrëmjeve speciale për ku jeni nisur.
Parfumet artizanale
Francezi Dominique Dubrana është më i famshmi në botë për krijimin e parfumeve artizanale. Ai tregon se si mund të krijohet një parfum nga lënda e parë. “Për këtë, duhet eliminuar pjesa jo e mirë të aromave. Kjo metodë varet nga tipologjia e lëndës së parë. Për të marrë një vaj esencial të mirë, në fillim duhet të bëhet distilimi. Kështu, avulli i ujit kalon përmes bimëve, më pas merret pjesa aromatike, kondensohet dhe në fund mblidhet lënda. Esenca reduktohet për të përftuar ekstraktin më të mirë, për shembull me gjashtë tonelatë petalesh trëndafili arrihet të prodhohet një litër esencë, ndërsa për një litër esencë livandoje mjaftojnë 40 kilogramë lëndë e parë. Procesi vazhdon me ngjyrosjen, ku lëndët aromatike futen në alkool ushqimor, që arrijnë të thithin parfumin, ndërsa për disa lëndë të tjera të para përdoren tretës të ndryshëm, si benzeni. Kështu, arrihet pjesa konkrete, një përzierje që vendoset në alkool, duke u përpjekur të marrësh gjithçka nga një lëndë e caktuar. Në fund arrihen të përzihen esencat si një kokteil. Shihen raportet e përbërësve me njëri-tjetrin dhe pastaj lihet për një periudhë kohe, në mënyrë që molekulat të bashkohen. Zakonisht, një parfum i mirë përmban nga 5 deri në 20 për qind esencë, në bazë të aromave të përbërësve. Pjesa tjetër është alkool”, tregon ai.
Tregu botëror
700 aroma të reja në vit dhe një biznes prej
20 miliardë dollarësh në vit
Bimët e vështira
Rrënja e shpatullës, e cila duhet tharë për një periudhë trevjeçare. E kundërta ndodh me algat dhe kërpudhat që duhet të jenë shumë të freskëta, po ashtu, ka edhe nga ato produkte që janë të rralla dhe duhet një punë disavjeçare për të mbledhur sasinë që të nevojitet. Më e vështira nga të gjitha është myshku i kafshëve, që merret nga gjëndrat e drerëve orientalë, për të cilën ekziston vetëm një treg i zi ku mund ta gjesh
Parfum me aromë njerëzish
Për të marrë aromën e trupit të një njeriu, mjafton të hedhësh pak alkool në një pjesë të tij dhe nga ajo pjesë të marrësh përqendrimin më të lartë, duke nxjerrë një ekstrakt prej saj. Në fakt, ndryshe nga të rriturit, nga të sapolindurit mund të nxirret një parfum i mrekullueshëm.

Postime te Ngjashme:
- Do parfumin tend?
- Si te zgjedh parfumin tim?
- Historia e parfumeve
- Të luftosh gripin duke u parfumosur
- Aromë pranvere
Popularity: 3% [?]
