Ilda: Joshja është arma ime
Arriti që t’i joshë të gjithë, të turbullojë mendjet e meshkujve, të zgjojë lakminë e femrave dhe të gozhdojë publikun para ekranit. Kjo është Ilda Gega, vajza 23 vjeçare që solli për ekranin shqiptar eksperiencën e një femre inteligjente, të shfrenuar dhe spontane. Tani në një rrëfim për jetën e saj, para dhe pasi u bë e njohur, thjesht si Ilda që nuk njeh komplekse. Duke rrëfyer edhe dashurinë e saj të re.
Akoma nuk e ka vendosur nëse stacioni i saj i vjeshtës do jetë Tirana, apo do marrë avionin e radhës për në New York, Boston apo Massachusetts. Nëse muaj më parë preu biletën për një udhëtim intrigues përmes Europës dhe rastësia e solli në një provë televizive shqiptare, tani është në dilemë për shumë gjëra të jetës së saj të ardhme. Por, për një gjë është e sigurt Ilda Gega, se kudo që të shkojë dhe kudo që të kthehet ia ka bërë vendin vetes. Ajo e ka të projektuar në kokë atë që do të arrijë: të jetë dikush dhe të bëhet nënë e mirë për fëmijët e saj. Po cila është Ilda tjetër që nuk kemi patur mundësi ta njohim nga ekrani? Biseda me të e zbulon sikurse zbulon edhe një lidhje të re dashurie me një person publik që Ilda pranon ta rrëfejë për ne.
Ilda, keni vendosur të rrini përfundimisht në Shqipëri, apo jeni këtu përkohësisht?
Faktikisht unë kam ikur nga USA në shtator të 2007 dhe kam udhëtuar nëpër Europë për disa muaj para se të vija në Shqipëri. Ishte komplet spontan vendimi për të aplikuar në Big Brother. Për sa i përket të ndenjurit në Shqipëri përfundimisht, akoma nuk e kam vendosur, por mund të them që asgjë nuk më ngut për t’u rikthyer në USA përveç familjes time për të cilët më ka marrë shumë malli dhe normalisht ia kam bërë vendin vetes që kurdo që të kthehem të jem e mirëpritur si në shkollë, punë dhe shoqëri, kështu që vendimin s’e kam marrë akoma, thjesht po shijoj pushimet e verës.
Origjina juaj është nga Tropoja. Çfarë keni marrë nga ky qytet verior? Ndieni mall për të? Ktheheni shpesh atje?
Babin e kam nga Tropoja, edhe vetë atje kam lindur. Edhe pse kam ikur tepër e vogël dhe nuk mbaj mend shumë për Tropojën mund të them që kam nostalgji, sidomos për rrugën për në Tropojë… me traget. Çfarë kam marrë, e kam nga prindërit e mi, të qenurit e padjallëzuar, e dashur, karakter i fortë, të gjitha këto i kam nga prindërit. Jam plotësisht shqiptare për sa u përket moraleve të mia, thjesht kam një mentalitet perëndimor, ose më saktë kam zgjedhur gjërat më të mira nga çdo kulturë. Tashmë nuk kam më njerëz në Tropojë dhe mund të kem nja 15 vjet pa u kthyer. Kam shumë dëshirë të shkoj por nuk e di kur do bëhet ky udhëtim.
Cila ishte Ilda para se të bëhej e njohur në ekran?
Ilda ishte ajo që është dhe tani. Shoqëria ime më thotë se brenda në Big Brother nuk isha aq e lirshme dhe spontane sa jam në jetën reale. Unë në komunitetin shqiptar në SHBA njihem goxha, qoftë nga shqiptare për të cilët kam përkthyer, nga shqiptarë që frekuentonin evenimente të organizuar për vetë shqiptarët, apo dhe të rinj që frekuentonin klube të ndryshme të Bostonit dhe New Yorkut. Në USA isha studente dhe punoja si financiere. Në Shqipëri njihesha si vajza që kishte ardhur nga Amerika.
Na tregoni pak për jetën në Amerikë, familjen tuaj atje dhe angazhimet tuaja?
Në USA kam ikur në mars të 97-ës, kur plasi lufta këtej. Fillimi ishte tepër i vështirë, sidomos për prindërit që ishin mësuar të ishin dikush, t’iu vlerësohej puna, shkolla, emri i familjes, etj etj. Unë si fëmijë normalisht e pata më të lehtë me gjuhën, me shoqërinë. Që fëmijë jam aktivizuar me sportet (basketboll) duke vazhduar kështu dhe në gjimnaz, basketboll, cheerleading dhe softball. Pastaj vazhdova universitetin të cilin akoma s’e kam kryer. Kam lëvizur nëpër qytete të ndryshme të shtetit Massachusetts, kam jetuar dhe vetëm…
Familja ime është e mrekullueshme. Babai dhe nëna ime, të dy njerëz të shkolluar dhe të respektuar. Babai ka qenë drejtor i Hidrocentralit të Fierzës dhe inxhinier këtu në Tiranë, ndërsa mamaja ka qenë doktoreshë goxha e njohur në Shqipëri.
Motra ime e madhe është bërë nënë dhe motër për mua. Ndërsa vëllai është dikush për t’u admiruar. Është i dashur, i durueshëm dhe zakonisht qëndron neutral. Sado që motra dhe vëllai do të donin të isha në USA dhe jo këtu, kanë qenë shumë të kuptueshëm dhe të durueshëm me faktin që unë kam ardhur këtej, qoftë për një periudhë të shkurtër, qoftë përfundimisht.
Morët pjesë në një “reality show” shqiptar. Jeni penduar për këtë apo mendoni se ia ka vlejtur?
Nuk jam penduar,… më vjen inat që nuk pata lirinë të isha komplet vetja ime, qoftë nga ndikimi i kamerave, kontratës, apo banorëve të shtëpisë. Nëse ia ka vlejtur nuk e di. Vërtet tashmë jam e njohur dhe jam pothuajse çdo javë në revista apo gazeta, por kjo s’do të thotë që ka patur ndonjë impakt pozitiv apo negativ. Pak a shumë aty ku isha jam, thjesht me ca bishta nga prapa.
Shumë ju kanë gjykuar për sjelljen tuaj të shpenguar dhe pa komplekse në Big Brother. Cili është komenti juaj për sjelljen dhe gjykimin e njerëzve?
Realisht sjellja ime ishte e penguar dhe me komplekse. Pasi jam dhe më pa komplekse seç jam paraqitur atje. Shumë kanë gjykuar nga thashethemet nëpër gazeta. Mendoj se kam qenë tepër e sinqertë, shumë normale dhe jam shumë e sigurt se jam shumë më e mirë seç janë shumica e femrave shqiptare, të cilat e fshehin çdo gjë. Nuk ka gjë më të keqe se të hiqesh si diçka tjetër apo të gënjesh. Jeta është më e lehtë kur s’ke se ç’fsheh.
Ku dallojnë të rinjtë shqiptarë krahasuar me ata të Amerikës?
Të rinjtë shqiptarë me të Amerikës kanë shumë të përbashkëta në sipërfaqe, dalin, vishen etj. Në të kundërtën këtu jetojnë më tepër për opinionin e tjetrit, janë më të varur tek prindërit, kanë mendjen te tjetri, janë shumë më tepër të djallëzuar. Andej rinia është më e lirë, normalisht ka kultura të ndryshme dhe varieteti e ka bërë Amerikën një vend më me pak paragjykime, kështu që për vendin tonë rinia jonë është lule.
Ju vetë në cilin grupim do ta fusnit veten?
Unë e thashë dhe më sipër. Kam zgjedhur ç’më pëlqen nga të dyja kulturat. Jam e shfrenuar dhe e sinqertë, pa patur ndikim nga opinionet e të tjerëve, kur ndërkohë çmoj shumë familjen, feminitetin dhe të qenurin shqiptare.
Ka ndryshuar jeta juaj tani që jeni bërë e njohur?
Do gënjeja nëse do thoja që jo. Njihem kudo që shkoj nëpër Shqipëri. Ftohem në vende të ndryshme sepse tashmë jam Ilda e Big Brotherit dhe jo sepse jam Ilda Gega. Kam patur oferta pune të cilat mbase nuk do ekzistonin nëse nuk do isha bërë publike. Fotografohem në raste ku s’do doja të fotografohesha. Marr vesh lajme të rreme mbi veten nga të tjerë që kanë lexuar revista thashethemesh.
Si shkoi kjo verë për Ildën?
Vera për mua akoma s’ka mbaruar. Në shtator kam ditëlindjen dhe shpresoj t’ia kaloj sa më mirë. Vera ka shkuar shumë shpejt, kam qenë kudo në bregdetin shqiptar dhe vazhdoj të bëj pushime plazhi me miqtë e mi. Kam qenë e shoqëruar nga banorë të ndryshëm të Big Brother, nga miq, etj etj.
Ndiheni e dashuruar?
Po. Dashuria ime më e re është një person publik. Dikur ka qenë i përzgjedhur në një konkurs bukurie, si Mister. Nuk dua të bëj publik emrin e tij, pasi lidhja jonë është në hapat e para. Jemi njohur pas daljes sime nga shtëpia e “Big Brother”, rastësisht në një pub. Ai realisht më kishte parë që gjatë ditëve të qëndrimit tim në shtëpinë e “Big Brother”. Pak e nga pak ai njohu Ildën e vërtetë dhe ne realisht jemi në fazën ku po njohim dhe dashurojmë njëri-tjetrin.
Çfarë e ndan mëkatin nga dashuria?
Mendoj se këto të dyja s’kanë lidhje fare. Të dashurosh nuk është mëkat. Për një dashuri do sakrifikoja ç’do gjë përveç familjes dhe vetes time. Dashuria nuk duhet të kërkojë këto dy sakrifica, por duhet të thuret bukur që gjithçka të shkojë këndshëm. Pra lirinë time dhe personin që unë jam, nuk do ta ndryshoja për dikë tjetër. Thjesht do të përshtatesha.
Bukuria tek një femër a është çelësi për të arritur suksesin?
Bukuria tek një femër është më tepër se sipërfaqësore. Një femër është e butë dhe e fortë, e ëmbël dhe e hidhur, e mençur dhe naive, e bukur, por jo perfekte. Nëse një femër i ka tërë këto, suksesin e ka arritur me kohë.
E përdorni armën e joshjes kur ju duhet?
Një person tepër i njohur ka thënë se trupi është arma jonë më e fortë si qenie njerëzore. Joshja me taktikë dhe elegancë është një nga armët e mia.
Sa ndiheni e realizuar?
Shumë pak të them të drejtën. Thonë “Tento për hënën se dhe sikur mos ta kapësh do bëhesh një yll”. Kam shumë gjëra në jetë që dua t’i bëj. Disa i kam kryer, disa janë në proces e sipër, disa vetëm koha mund t’i arrijë.
Tek cili virtyt njerëzor besoni më tepër?
Kjo është shumë e vështirë, besoj tek të gjitha dhe besoj se të gjitha kanë lidhje me njëra tjetrën, por mbase më shumë nga të gjitha tek karakteri i një personi.
Nëse keni kohë të lirë si ju pëlqen ta kaloni?
Varet ku jam dhe me kë jam. Nëse jam me motrën dhe vëllanë më pëlqen kur jemi në shtëpi të tre dhe bëjmë ndonjë “barbeque” dhe “mojitos” dhe dëgjojmë muzikë në oborr.
Nëse jam me shoqëri, në verë në plazh, në dimër në ndonjë pub. Vetmia s’më pëlqen, por kur rastis vetëm, shoh ndonjë film, lexoj ndonjë libër, trajtoj veten me ndonjë banjo të stërzgjatur manikyr, pedikyr, shopping, ose futem në internet dhe bisedoj me miqtë e mi.
I vlerësoni miqtë?
Ç’do njeri ka nevojë për miq, nuk shtyhet kurrë jeta vetëm. Shoqëria të hap sytë për shumë gjëra, rëndësi ka mos t’ju shtosh vlerat njerëzve që s’e meritojnë dhe mos t’ia ulësh vlerat atyre që peshojnë shumë në jetën tënde.
Kam kuptuar që njeriu ka shumë pak miq të vërtetë, “një është pak, dy janë shumë” më duket se thotë populli… Do shumë kohë të dallosh një mik të vërtetë, kjo s’do të thotë që ata që s’janë të vërtetë mos t’i përfillësh. Thjesht mos i afro shumë. Mami më ka mësuar që dhe armiku me një fjalë të ëmbël, apo buzëqeshje vritet dhe të jesh i ashpër apo i paduruar është shumë e lehtë. Ndaj bën mirë të ruash miqësinë se është më e vështirë ta mbash sesa ta hedhësh poshtë.
Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Nuk gënjej për gjëra të rëndësishme. Gënjej për shembull kur jam diku dhe më telefonon dikush që s’ka nevojë të dijë ku jam. Ose për gjëra shumë të vogla. Ose kur vonohesha për punë dhe sajoja ndonjë gjë si shumica e njerëzve. Gënjeshtrat e mëdha të sjellin shumë telashe, të voglat dhe kur dalin s’janë ndonjë gjë, sepse janë thjesht diçka çasti dhe mund të justifikohen apo tregohen më vonë.
Pendoheni shpesh?
Jam penduar që nuk bleva një palë këpucë që pashë para nja dy javësh se nuk i gjeta më. Për të tilla gjera pendohem. Asnjëherë nuk do të pendohem për një vendim që kam marrë. Ah po, që kam filluar cigaren.
Cila është eksperienca më e bukur që keni patur në jetë, cilado qoftë ajo?
Eksperienca më e bukur dhe e vështirë ka qenë kur jetoja vetëm, më ka mësuar shumë, më ka bërë të pavarur dhe të fortë. Nga kjo eksperiencë kam shumë besim në vetvete dhe di që zoti nuk na jep kurrë më tepër seç mund të përballojmë.
E frekuentoni jetën e natës në Tiranë? Çfarë ju pëlqen më tepër nga ajo?
Sigurisht që e frekuentoj, nuk është se Tirana ka ndonjë gjë të veçantë për jetë nate. Shumë gjera i kemi këtu dhe nuk dimë t’i shijojmë sepse janë kopjuar nga perëndimi, ndërkohë që mentaliteti nuk është i tillë. Normalisht më pëlqen kur dal diku dhe ambienti është i këndshëm, duke përfshirë muzikën dhe shoqërinë.
Do zgjidhnit bashkëjetesën apo martesën?
Të dyja më duken shumë mirë, varet çfarë lidhjeje do të kisha, po duke konsideruar që dua të jem nënë një ditë, do të zgjidhja martesën.
Nëse do takonit Zotin, çfarë do i kërkonit?
Të më gjykonte dhe të më mëshironte. Të vetmet dy gjëra që unë dhe askush tjetër në këtë botë s’mund t’i bëjë për mua.
Pasaporta e Ildës:
Emri: Ilda
Mbiemri: Gega
Ditëlindja: 1 Shtator, 1985
Vendlindja: B.Curri
Profesioni: Account Controller
Hobi: Udhëtimet, sportet, muzika, shkrimi, fotografia, etj etj.
Interesante: Kam një yll të emëruar pas vetes, ma kanë bërë dhuratë.
Ilda Gega, 23 vjeç, që u bë e njohur për publikun shqiptar pas shfaqjes së saj në një reality show televiziv, duke pozuar për revistën “Shqip”
“Realisht sjellja ime ishte e penguar dhe me komplekse. Pasi jam dhe me pa komplekse seç jam paraqitur atje. Shumë kanë gjykuar nga thashethemet nëpër gazeta. Mendoj se kam qenë tepër e sinqertë, shumë normale dhe jam shumë e sigurt se jam shumë më e mirë seç janë shumica e femrave shqiptare, të cilat e fshehin çdo gjë. Nuk ka gjë më të keqe se të hiqesh si diçka tjetër apo të gënjesh. Jeta është më e lehtë kur s’ke se ç’fsheh”.
“Të dashurosh nuk është mëkat. Për një dashuri do sakrifikoja çdo gjë përveç familjes dhe vetes time. Dashuria nuk duhet të kërkojë këto dy sakrifica, por duhet të thuret bukur që gjithçka të shkojë këndshëm. Pra lirinë time dhe personin që unë jam, nuk do ta ndryshoja për dikë tjetër. Thjesht do të përshtatesha”.
“Një person tepër i njohur ka thënë se trupi është arma jonë më e fortë si qenie njerëzore. Joshja me taktikë dhe elegancë është një nga armët e mia”.
“Kam shumë gjëra në jetë që dua t’i bëj. Disa i kam kryer, disa janë në proces e sipër, disa vetëm koha mund t’i arrijë”.
Nga: Neritana Kraja











(2 votes, average: 4.50 out of 5)
jam ceni nga londra ,ke qen shum e mire ,lej tjeret le te merren me kritika meriton nji not 10,te uroj suksese ne jet.
Leave your response!