Bashkëjetesa është më e mirë për shëndetin mendor të meshkujve, po martesa është më mirë për lumturinë e femrave, sugjeron një studim i ri.
Studimi i afro 4 500 meshkujve e femrave në Angli nxjerr në pah që kush rri në marrëdhënien e parë të qëndrueshme gëzon shëndet të mirë mendor.
Ndërsa meshkujt e marrin veten pas ndarjeve me radhë, femrat e kanë shumë më të vështirë. Në fakt mund të jetë më mirë për shëndetin mendor të femrës të rrijë e vetme sesa ketë dashur e të ketë humbur dikë, sugjeron studimi i Mikela Benzeval dhe kolegëve të saj tek Queen Mary, Universiteti i Londrës.
Mungesa e mbrojtjes së të drejtave financiare dhe të drejtave të pronës, dhe si rrjedhojë mungesa e sigurisë kur ndahen çiftet që bashkëjetonin mund të shpjegojë pse femrat që bashkëjetojnë kanë më shumë probleme mendore se femrat që martohen," thotë grupi i studiuesve.
"Për femrat, siguria është më e rëndësishme," thotë Paula Holl, një këshilluese për marrëdhëniet bashkëshortore. "Janë femrat ato që kanë fëmijë dhe kanë instinkte shumë të forta për përkujdesjen dhe mbrojtjen e tyre. Kjo mund të jetë një arsye që martesa është e rëndësishme për to."
"Për meshkujt, siguria ka më pak rëndësi. Ndjesia e të qënit në kurth është më e rëndësishme për ta. Kjo mund të jetë arsyeja që ndihen më mirë kur bashkëjetojnë sesa kur martohen," i shpjegoi Paula BBC-së.
Depresion dhe ankth
Martesa është shoqëruar prej kohësh me përfitime shëndetësore - sidomos për meshkujt. Studime të mëparshme tregojnë se njerëzit që martohen pritet të jetojnë më gjatë, të kenë përqindje më të vogël vdekjesh dhe mirëqenie më të lartë psikologjike se ata që rrinë pa martuar, thotë grupi i studiuesve.
Benzeval dhe kolegët shqyrtuan të dhëna nga një pyetësor i madh - The British Household Panael Sruvey (Pyetësori i Panelit Britanik të Familjeve) - i cili përfshinte 10 000 vetë nga viti 1991 deri në vitin 2000.
Femrat dhe meshkujt nën 65 vjeç që u përfshinë në analizën e Mikela Benzeval dhanë intervista dhe plotësuan një pyetësor standard për vlerësimin e stresit psikologjik, duke përfshirë këtu depresionin dhe ankthin.
"Partneritetet e para të qëndrueshme ishin të lidhura me shëndet të mirë mendor," thanë kërkuesit.
Prishja e partneritetit ishte e lidhur me shëndet të dobët mendor në të dyja sekset, megjithëse formimi i marrëdhënieve të reja e zhbënte disi këtë efekt. Gjithsesi, femrave u duhej më shumë kohë për të marrë veten sesa meshkujve.
Shëndeti mendor i femrave merr të tatëpjetën më shpejt sa më shumë ndarje që përjetojnë.
Për meshkujt nuk ndodhte kështu. "Çuditërisht, shëndeti më i mirë i meshkujve vihet re tek ata që kanë kaluar dy ose më shumë se dy riformime partneriteti, dhe këta ishin shumë më mirë se gjihë meshkujt e tjerë," vënë në dukje autorët e studimit.
Femrat beqare që nuk ishin martuar apo nuk kishin bashkëjetuar ndonjëherë me një mashkull shfaqnin shëndet të mirë mendor, në kontrast me meshkujt beqarë.